Lajme

Deklarata fyese e Ramës ndez reagime: “Politikisht je autik” – Një tjetër gafë e rëndë në diskursin publik

Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar reagime të forta pas një deklarate publike ku përdori një term tejet problematik dhe ofendues për të përshkruar mbështetësit e opozitës. Në një dalje për mediat, ai u shpreh:
“Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën dmth nuk je mirë, politikisht je autik, s’je mirë.”

Përdorimi i termit “autik” si një fyerje në diskursin politik ka ngjallur indinjatë të gjerë, veçanërisht nga familjarët e personave në spektrin e autizmit dhe nga shoqëria civile. Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën si një individ komunikon dhe ndërvepron me botën, dhe assesi nuk duhet të përdoret si sinonim për paaftësi apo shmangie politike.

Ky lloj përdorimi i gjuhës, që margjinalizon dhe stigmatizon një grup të ndjeshëm të shoqërisë, bie ndesh me çdo standard etik dhe human. Përdorimi i termit në këtë mënyrë është i papranueshëm në një vend që synon të afrohet me vlerat europiane të barazisë, respektit dhe përfshirjes.

Në vend që të promovojë dialog dhe respekt për mendimin ndryshe, kryeministri vazhdon të përdorë një retorikë përçmuese ndaj kundërshtarëve, duke ndërtuar mure ndarjeje në vend të urave bashkëpunimi.

Në fjalinë e tij, Rama u shpreh gjithashtu:
“Paguajtën lekët e dynjasë për të paguar Latifin. Më hidhen mua pse them gjysma e burrave janë çyrykë. Po ça të them, e them si metaforë, nuk është raport klinik. Për mua kush shkon në kënetë është gjysmak.”

Këto deklarata nuk përbëjnë vetëm një tjetër gafë në radhën e gjatë të diskursit politik të Ramës, por një sinjal alarmi për mënyrën sesi forca më e madhe politike në vend i trajton temat e ndjeshme dhe kategoritë vulnerabël të shoqërisë.

Shoqëria civile dhe qytetarët kërkojnë ndjesë publike dhe reflektim nga ana e Kryeministrit. Në një demokraci funksionale dhe me pretendime europiane, fjalët e liderëve nuk janë të parëndësishme – ato përcaktojnë standardin e respektit dhe përfshirjes që i takon çdo qytetari.

Në një shoqëri të civilizuar, nuk është “kënetë” mendimi ndryshe, por përdorimi i fjalës si armë për të poshtëruar dhe ndarë.

 

https://youtu.be/sUj20Eqma9E?si=cSg0xjySWW5QaG3z

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button