
“Qendresa Qytetare” ka reaguar me shqetësim ndaj një deklarate të Blendi Klosit gjatë një takimi elektoral në Dibër, duke e akuzuar për kërcënim ndaj diasporës. Në një postim në Facebook, organizata thekson se Klosi ka pohuar se vota e parë që ka mbërritur me zarf nga Gjermania është për Partinë Socialiste.
Sipas tyre, kjo deklaratë nënkupton se vota është zbuluar, duke përbërë një shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor. “Qendresa Qytetare” ngre dyshimin se qytetari mund të jetë detyruar të fotografojë votën ose ta bëjë publike atë. Ata i kërkojnë KQZ-së të garantojë diasporën për sigurinë dhe fshehtësinë e votës. Po ashtu, kërkohet ndërhyrja e Task Forcës së SPAK për të hetuar këtë deklaratë. Nëse pretendimet janë të vërteta, organizata kërkon që Blendi Klosi të merret nën hetim. Postimi i plotë:
A po kërcënon Blendi Klosi Diasporën se PS i kontrollon votat në zarfe, Task Forca e SPAK duhet të reagojë!
Nga një takim elektoral në Dibër, drejtuesi politik i këtij qarku Blendi Klosi u shpreh se e ka të konfirmuar se vota e parë që ka mbërritur me zarf për një emigrant nga Dibra në Gjermani është për partinë socialiste.
Nëse zoti Klosi e ka të konfirmuar jemi përballë faktit që qytetari ose ka publikuar votën, ose është detyruar të fotografojë votën dhe kjo përbën shkelje të rëndë ligjore.
Blendi Klosi po tenton të përçojë mesazhin se Partia Socialiste e ka mekanizmin për të mësuar se çfarë ka në zarf vota e diasporës dhe kjo përbën një cënim të rëndë të procesit.
KQZ duhet të dalë të sqarojë shqiptarët në mërgim se vota e diasporës është e sigurtë dhe TASK FORCA duhet ti kërkoj sqarime Blendi Klosit për këtë deklaratë dhe nëse është e vërtetë ai duhet të merret nën hetim.