Lajme
Kryesore

Damian Gjiknuri kërkon mbështetje në Rajonin 4: “Dua të jem një zë i fortë për Vlorën në Parlament”

Kandidati i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, vijoi takimet elektorale pasditen e së martës me banorët e Rajonit 4 në Vlorë, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes popullore në këtë garë të re politike.

“Unë e kam mirëpritur me shumë kënaqësi rikthimin në Vlorë si kandidat në listë të hapur. Për mua është një sfidë e re, një garë me një dimension tjetër, ku do të kërkoj komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në çdo lagje”, u shpreh Gjiknuri.

Ai vuri në dukje rëndësinë e votës për Partinë Socialiste, duke e konsideruar si alternativën më serioze për zhvillimin e vendit. “Partia Socialiste është emri i zhvillimit për Vlorën dhe për Shqipërinë. Përballë kemi një opozitë të përçarë që nuk ofron asnjë alternativë, ndërsa ne kemi objektiva të qarta për integrimin në BE dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ai.

Gjiknuri foli edhe për programin e PS-së, i cili përfshin masa konkrete për shtresat në nevojë: “Rritja e pagës minimale në 50.000 lekë, kompensimi i kontributeve nga qeveria, rritja e pensionit mesatar në 40.000 lekë dhe përcaktimi i pensionit minimal prej 20.000 lekësh për ata që kanë dalë në pension para vitit 2014, janë disa prej angazhimeve tona”.

Ai vuri theksin te zhvillimi i Vlorës falë investimeve të deritanishme dhe projekteve në vijim: “Hapja e aeroportit, investimet e mëdha dhe zhvillimi i turizmit po gjenerojnë rritje të punësimit dhe të ardhurave për familjet vlonjate”.

Në përmbyllje, Gjiknuri u kërkoi qytetarëve të Rajonit 4 mbështetje të plotë: “Unë dua të jem një zë përfaqësues, një zë i fortë në Parlament për zgjidhjen e problematikave të qytetarëve të Vlorës. Kam eksperiencën dhe vullnetin për ta bërë këtë”.

Në garën për 9 mandate në Vlorë, Gjiknuri shprehet optimist për një fitore të thellë të Partisë Socialiste.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button