ChatGPT me probleme globale, përdoruesit raportojnë ndërprerje të shërbimit

Përdoruesit e ChatGPT po hasin në probleme me qasjen në platformë. Qindra raporte online tregojnë se chatbot-i i inteligjencës artificiale i OpenAI ka përjetuar ndërprerje dhe ngadalësime të dukshme të shërbimit rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm.
Sipas faqes së monitorimit Downdetector, është regjistruar një rritje e menjëhershme e raportimeve nga mijëra përdorues në mbarë botën. Megjithatë, kompania ende nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar lidhur me problemet teknike.
Raportet sugjerojnë se ndërprerja aktualisht mund të ketë prekur vetëm një pjesë të përdoruesve. Ndërkohë, në rrjetet sociale është shfaqur trendi #ChatGptDown, i cili po përdoret gjerësisht për të ndarë shqetësimet dhe përvojat e përdoruesve.
Ekspertët e teknologjisë këshillojnë që në raste të tilla të provohet ringarkimi i faqes, përdorimi i shfletuesit në mënyrën inkognito, pastrimi i memories së përkohshme (cache) dhe i cookie-ve, ose hapja e chatbot-it nga një shfletues tjetër.
Derisa OpenAI të japë një sqarim zyrtar, mbetet e paqartë se sa do të zgjasë ndërprerja dhe cilët përdorues janë prekur më shumë nga ky problem.