Celibashi: Votat e vlefshme dhe të pavlefshme përputhen me numrin e fletëve në kuti, vetëm 9 kuti të parregullta

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat këtë të premte bëri të ditur se procesi i administrimit dhe numërimit të votave po ecën në mënyrë të rregullt dhe transparente.
Sipas Celibashit, numri i votave të vlefshme është 1,406,833, ndërsa 55,519 fletë rezultojnë të pavlefshme. Ai theksoi se këto shifra përputhen plotësisht me numrin total të fletëve të votimit të gjetura në kuti.
“Nëse mbledhim numrin e votave të vlefshme me numrin e votave të pavlefshme, atëherë përputhet 100% me numrin e fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe këtu nuk kemi kontradiktë”, deklaroi Celibashi.
Ai informoi gjithashtu se vetëm 9 kuti votimi janë shpallur të parregullta. Prej tyre, 7 kuti janë evidentuar si të parregullta në momentin e dorëzimit nga Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), ndërsa 2 kuti të tjera janë konstatuar të parregullta pas verifikimit nga KZAZ.
Në lidhje me procesin e numërimit të votave jashtë vendit, Celibashi tha se ky proces është drejt përfundimit për disa qarqe.
“Ka nisur procesi edhe për numërimin për deputetë në qarkun Kukës. Është drejt përfundimit edhe për qarkun e Tiranës, dhe do të nisim menjëherë me vlerësimin e votave për kandidatët e listave të hapura”, u shpreh kreu i KQZ-së.
Deklarata e tij synon të shuajë çdo dyshim mbi integritetin e procesit të votimit dhe të japë siguri mbi transparencën dhe korrektësinë e administrimit zgjedhor.