Bota

Bota i jep lamtumirën Papa Françeskut në një ceremoni historike në Vatikan

Liderët më të fuqishëm të botës janë mbledhur sot në Romë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut, një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti. Pas tre ditësh homazhe ku mbi 200 mijë besimtarë nderuan figurën e tij, mesha e fundit nisi në orën 10:00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe pritet të zgjasë rreth një orë e gjysmë.

Pas përfundimit të meshës, trupi i Papës do të transportohet drejt bazilikës Santa Maria Maggiore, ku do të zhvillohet edhe varrimi. Ceremonia po mbahet nën masa të rrepta sigurie dhe me një prani të jashtëzakonshme protokolari, që reflekton ndikimin e madh të Papa Françeskut në skenën ndërkombëtare.

Në mesin e liderëve që kanë mbërritur në Romë është edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Gjatë udhëtimit me Air One, Trump deklaroi para gazetarëve se ndodhet në Vatikan si një shenjë falënderimi ndaj komunitetit katolik, të cilin e cilësoi si një faktor kyç në suksesin e tij zgjedhor. Ai pritet gjithashtu të zhvillojë disa takime me liderë evropianë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Presidenti amerikan është akomoduar në rezidencën e ambasadorit të SHBA-ve në Romë, ndërsa kthimi i tij drejt SHBA është planifikuar për orën 13:30 të ditës së sotme.

Përveç Trump, në ceremoni marrin pjesë edhe figura të tjera të rëndësishme botërore, si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në largim Olaf Scholz.

Nga Mbretëria e Bashkuar, i pranishëm është kryeministri Keir Starmer dhe Princi William. Rajoni ynë përfaqësohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Atmosfera në Romë është e mbushur me solemnitet dhe përkushtim, teksa bota i jep lamtumirën një prej figurave më të dashura dhe me ndikim të Kishës Katolike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button