Lajme

Bledi Çuçi në Vlorë: 5 arsye përse duhet votuar Partia Socialiste

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim me simpatizantë dhe banorë të Rajonit 2 në qytetin bregdetar, së bashku me kandidatët për deputetë Pirro Vengu, Damian Gjiknuri dhe Mjaftesa Sulaj. Në fjalën e tij, Çuçi renditi pesë arsye kryesore pse, sipas tij, Partia Socialiste meriton mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit.

Së pari, ai theksoi transformimin urban, ekonomik dhe shoqëror që ka pësuar Vlora gjatë viteve të qeverisjes socialiste. “Vlora është shembulli më i gjallë i këtij transformimi,” u shpreh Çuçi.

Së dyti, ai foli për projektet e ardhshme që do të vazhdojnë këtë ndryshim, përfshirë aeroportin ndërkombëtar dhe zhvillimin e porteve të Vlorës dhe Orikumit, duke synuar turizëm gjatë gjithë vitit.

Si arsye të tretë, Çuçi kritikoi ofertën e opozitës, duke theksuar se rikthimi i figurave si Sali Berisha përfaqëson një kthim pas për qytetin dhe vendin.

Së katërti, Çuçi vlerësoi ekipin që Partia Socialiste prezanton në këto zgjedhje, duke përmendur Damian Gjiknurin dhe Mjaftesa Sulajn si kandidatë përfaqësues dhe me eksperiencë.

Së pesti, ai foli për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se deri në vitin 2030, falë punës së PS-së, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së.

Në vijim të takimit, kandidati Damian Gjiknuri theksoi investimet e kryera në Vlorë gjatë qeverisjes socialiste, duke veçuar lungomaren si një prej projekteve më të rëndësishme. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre investimeve dhe shprehu besimin se vota për Partinë Socialiste është një votë për zhvillimin e mëtejshëm të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button