Rajoni

Bizneset shqiptare në Ulqin nën lupën e shtetit: Hakmarrje politike apo zbatim i ligjit?

Një valë e paprecedentë kontrollesh të përditshme nga inspektoratet shtetërore ka tronditur bizneset shqiptare në Ulqin, kryesisht ato që operojnë në sektorin e turizmit. Pronat private, resortet, plazhet, hotelet dhe shazllonet janë bërë cak i një fushate agresive verifikimesh dhe gjobash marramendëse nga autoritetet shtetërore të Malit të Zi.

Në kushte anonimiteti, disa pronarë të bizneseve lokale kanë ngritur alarmin për atë që e quajnë “dhunë institucionale” dhe një formë presioni politik që vjen si pasojë e qëndrimit të komunitetit shqiptar ndaj projektit kontrovers të investimit arab në Plazhin e Madh, një projekt që komuniteti e refuzoi për shkak të pasojave demografike dhe kulturore që mund të sillte për shqiptarët e Ulqinit.

“Kjo është një formë hakmarrjeje nga qeveria. Nuk ndalet asnjë ditë, vijnë në mëngjes, në drekë, në darkë, kontrollojnë kupat fiskale nëpër tavolina ndërkohë që pushuesit hanë, pastaj vijnë sanitarët, komunalët, të gjithë, kjo nuk është kontroll, është presion politik.”, shprehet një pronar restoranti në Plazh të Madh, në kushte anonimiteti.

Në një kohë kur turizmi është gjeneratori kryesor i ekonomisë lokale në Ulqin, këto veprime po lënë pasoja të dukshme. Pushuesit ndihen të shqetësuar, ndërsa shumë biznese po raportojnë ulje drastike të të ardhurave, jo për shkak të mungesës së punës, por për shkak të klimës së frikës dhe pasigurisë që është krijuar.

Një tjetër pronar shprehet:

“Ne i respektojmë të gjitha rregullat dhe ligjet, por kjo që po ndodh nuk është e natyrshme, nëse nuk gjejnë asnjë shkelje, përsëri vijnë nesër. A është kjo normale? Ne kemi frikë se kjo është vetëm fillimi, po na bëjnë të pamundur të punojmë.”

Për komunitetin shqiptar në Ulqin, kjo nuk shihet thjesht si një operacion kontrolli fiskal, por si një strategji më e gjerë për shtypjen ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, pas kundërshtimit të zëshëm ndaj projekteve që priteshin të ndryshonin përfundimisht strukturën etnike dhe demografike të qytetit.

Shumë nga bizneset kërkojnë që reagimi i institucioneve shqiptare në Mal të Zi, por edhe më gjerë, të mos vonojë. Ndërkohë, kërkohet që të gjitha këto kontrolle të zhvillohen me transparencë, barazi dhe në përputhje me ligjin – jo si një instrument hakmarrjeje politike.

Reagime në kushte anonimiteti:

Reagimi 1 – Pronari i një hoteli në Ulqin:

“Kjo është një dhunë e pastër shtetërore. Ne jemi këtu që të punojmë dhe të ofrojmë shërbime për turistët, jo të ndjehemi si të jemi nën hetim penal çdo ditë. Nuk e kemi parë kurrë një regjim kaq të rreptë kontrollesh. Çdo ditë, çdo orë, me qëllim të vetëm: na lodhin, na frikësojnë dhe të na thyejnë.”

Reagimi 2 – Pronari i një restoranti në Ranë:

“Ata nuk vijnë për kontroll, por për presion. E shohin që nuk kemi shkelje, por prapë vijnë, ngatërrojnë klientët, futen në kuzhina, nëpër tavolina. Janë bërë si pjesë e përditshmërisë tonë. Nuk kemi mundësi të punojmë lirshëm. Kjo është një luftë e heshtur ndaj shqiptarëve të Ulqinit.”/Kosova.info

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button