Berisha për vendimin e gjykatës mbi inceneratorët: “Një nga aktet më të turpshme në histori”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatës lidhur me dosjen e inceneratorëve, duke e konsideruar një skandal dhe një akt të turpshëm në dëm të qytetarëve shqiptarë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se, ndonëse për këtë çështje ka pasur prova të shumta, Prokuroria e Posaçme (SPAK) e ka minimizuar vjedhjen duke e krahasuar me një “kotec pulash”.
“Siç e dini ju, çështja e inceneratorëve shkoi për pesë para në gjykatë. Një gjë e turpshme, një nga aktet më të turpshme në histori, kur humbja e 130 milionë eurove u kualifikua si një vepër sikur të kishin humbur 10 mijë euro apo sikur të kishin vjedhur një kotec pulash, siç e tha një kolegia juaj,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, kualifikimi i kësaj çështjeje nga SPAK dëshmon për mungesën e vullnetit për të ndëshkuar krimet e mëdha financiare që rëndojnë mbi taksat e qytetarëve.
“Jo, materiale kam plot, po sot ndodhi ajo që ndodhi,” – shtoi Berisha, duke theksuar zhgënjimin e tij për mënyrën si po trajtohet një nga aferat më të mëdha korruptive në vend.
PD ka paralajmëruar se do të ndjekë çdo rrugë ligjore e politike për të kërkuar drejtësi të vërtetë për këtë çështje.