Berisha: Më 11 maj nis fushata e PD-së – një “eksplozion besimi” te qytetarët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka shpallur zyrtarisht 11 majin si datën e nisjes së fushatës së PD-së, duke e cilësuar atë si një “eksplozion i besimit dhe pëlqyeshmërisë” ndaj kësaj force politike.
“Fillimi i fushatës mund të vlerësohet si eksplozion i besimit dhe pëlqyeshmërisë ndaj PD-së dhe programit që po gjen vend në mendjet dhe zemrat e qytetarëve. Entuziazmi që shpërtheu fillimisht në diasporë, vërshoi e ngrohu mendjet e zemrat e qytetarëve,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se kjo nisje fushate po vlerësohet nga analistët dhe kronistët si një ndër më spektakolaret që është zhvilluar ndonjëherë në atë shesh.
Ndërkohë, Berisha nuk kurseu ironitë ndaj ceremonisë së hapjes së fushatës nga Partia Socialiste, të zhvilluar të shtunën, duke e cilësuar si një “ceremoni qesharako-parodike”.
“Në bulevardin e ri, ai u braktis nga socialistët dhe qytetarët. Mitingu gjysmë mortor për Veliajn kishte të paktën 30% më shumë pjesëmarrës sesa aktiviteti ku u prezantua pasaporta europiane e stampuar me fytyrat e Ballukut, Ballës dhe Veliajt,” deklaroi ai.