Kosova

BE-ja vlerëson gjendjen e Urës së Mitrovicës: Asnjë ndryshim në status quo, por kërkohet koordinim nga autoritetet kosovare

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se aktualisht po zhvillojnë një vlerësim rutinë strukturor të Urës së Mitrovicës, si dhe një studim urbanistik të zonës përreth. Sipas BE-së, ky proces është i zakonshëm dhe vjen pas kalimit të një kohe të gjatë nga përfundimi i projektit të rivitalizimit të urës.

Në përgjigjen me shkrim për gazetën “Koha”, zyrtarët e Brukselit theksojnë se ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon që çdo vendim i ardhshëm mbi urën të bazohet në të dhëna teknike të rifreskuara, të sakta dhe objektive.

Po ashtu, bëhet e ditur se autoritetet e Kosovës janë informuar paraprakisht për këtë proces dhe se BE-ja është duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë në lidhje me të ardhmen e urës.

Në reagimin e saj, BE-ja i bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, përfshirë edhe ndërtimin e urave të tjera në afërsi. Ajo rikujton se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë atë që ka të bëjë me urën, duhet të zbatohen plotësisht.

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë për vite me radhë një simbol i ndarjes etnike dhe politike në qytet, ndërsa qëndrimi i BE-së vjen në një periudhë kur tensionet dhe debatet rreth lëvizjes së lirë dhe infrastrukturës po rishfaqen në agjendën publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button