Barcelona synon transferimin e yllit të PSG-së, Desire Doue

Barcelona po përgatitet për një tjetër goditje të madhe në merkato, me synimin për t’u rikthyer fuqishëm në garë për trofetë evropianë. Sipas “Indykaila”, katalanasit planifikojnë që gjatë verës së ardhshme të nisin negociatat për transferimin e yllit të Paris Saint-Germain, Desire Doue.
Plani i Barcelonës është ta vendosë 20-vjeçarin francez në krahun e kundërt të Lamine Yamal, i cili shihet si qendra e projektit afatgjatë të klubit. Një lëvizje e tillë do të ishte një “deklaratë force” për të treguar se blaugranat mbeten destinacion për lojtarët më të mirë në botë.
Situata financiare e klubit po shfaq shenja përmirësimi. Barcelona shpreson të mbyllë sezonin me fitim për herë të parë që prej pandemisë, pas humbjes prej 91 milionë eurosh vitin e kaluar. Shkarkimi i pagës së rëndë të Robert Lewandowskit dhe një marrëveshje e mundshme për qiratë VIP në vlerë 100 milionë euro, pritet të ndihmojnë në bilanc pozitiv.
Doue, i cili së fundmi ka deklaruar se është më i mirë se Lamine Yamal, ende nuk është titullar i padiskutueshëm te PSG, gjë që mund t’i japë Barcelonës avantazh për ta bindur në një transferim. Megjithatë, marrëdhëniet e tensionuara mes PSG-së dhe Barcelonës, si dhe fakti që kampionët e Europës nuk kanë ndërmend ta shesin lojtarin, mbeten pengesa serioze.
Për më tepër, Doue luan në një rol të ngjashëm me Yamal-in, çka në të kaluarën ka krijuar probleme taktike për katalanasit, siç ndodhi me Antoine Griezmann.
Nëse operacioni finalizohet, tifozët mund të presin një dyshe sulmuese të frikshme në “Camp Nou”, që synon dominimin në Europë.