Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht krijimin e Fondit Emergjent: Qeveria akuzohet për neglizhencë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka ngritur shqetësime serioze ndaj Qeverisë së Kosovës për mospërfilljen e kërkesave të vazhdueshme për krijimin e një Fondi Emergjent, që do t’u mundësonte komunave reagim të shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore.
Përmes një deklarate për media, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se përkundër vërshimeve, zjarreve dhe dëmeve të përsëritura në infrastrukturë e prona publike e private, Qeveria ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e një mekanizmi financiar të qëndrueshëm.
“Dëmton direkt qytetarët, të cilët mbesin pa ndihmë të menjëhershme në momente kritike; paralizon reagimin komunal, pasi mungesa e mjeteve e bën të pamundur ndërhyrjen e shpejtë; rrit varësinë nga procedurat e gjata burokratike, duke zvarritur mbështetjen për komunat që përballen me kriza reale”, u shpreh Ibrahimi për Periskopi.
Ai shtoi se kjo situatë tregon mungesë të vullnetit politik për të fuqizuar pushtetin lokal, përkundër premtimeve publike për decentralizim dhe bashkëpunim institucional.
Sipas tij, vonesat nga Qeveria tashmë po përkthehen në dëme të prekshme dhe të pakthyeshme për komunitetet lokale. Ai rikujtoi se kërkesa për krijimin e këtij fondi është përsëritur vazhdimisht nga komunat ndër vite, por asnjëherë nuk është marrë parasysh me seriozitet.
AKK kërkon nga Qeveria që urgjentisht të krijojë këtë fond, në mënyrë që komunat të kenë kapacitet të menjëhershëm për t’iu përgjigjur situatave emergjente që rrezikojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.