Kosova

ASK publikon rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin 2024: Rënie e lehtë në sipërfaqen bujqësore dhe në fondin blegtoral

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2024, ku vërehen luhatje të vogla në disa nga treguesit kryesorë të sektorit bujqësor në vend.

Sipas ASK-së, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore për vitin 2024 ishte 420 228,67 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët), duke shënuar një rënie prej 456,3 hektarësh krahasuar me vitin paraprak 2023, kur kjo sipërfaqe ishte 420 688,21 hektarë.

Livadhet dhe kullosat mbizotërojnë, por me rënie të lehtë

Pjesa më e madhe e tokës së shfrytëzuar përbëhet nga livadhet dhe kullosat, të cilat arrijnë në 216 534,33 ha ose 51,53% të totalit. Në krahasim me vitin 2023 (216 979,55 ha ose 51,58%), është shënuar një rënie e lehtë, e cila lidhet kryesisht me zvogëlimin e numrit të blegtorisë, që ka ndikuar në shfrytëzimin më të ulët të tokës së përbashkët.

Rritje te drithërat dhe kulturat industriale

Nga totali i tokës bujqësore, 44,93% përbëhet nga toka e punueshme – arat, ndërsa kopshtet përfaqësojnë vetëm 0,22%. Brenda kësaj toke, dominimi i drithërave është i theksuar me 125 274,35 ha ose 66,4% të sipërfaqes së arave. Pasojnë bimët foragjere (19,7%), perimet (4,7%), patatet (2,0%) dhe bishtajoret (1,6%). Ndërkohë, 6 429,78 ha (3,4%) janë raportuar si tokë djerrinë.

Në vitin 2024, sipërfaqja e ujitur të paktën një herë ishte 34 070,28 ha, ndërsa 122 570,50 ha janë trajtuar me pesticide.

Rënie e lehtë e fondit blegtoral, por rritje te delet

Në aspektin e blegtorisë, numri i gjedheve në vitin 2024 ishte 240 848, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2023, kur ishin regjistruar 247 493 gjedhe. Në të kundërt, numri i deleve ka shënuar një rritje të lehtë, duke arritur në 211 220 në vitin 2024, nga 207 123 sa ishin një vit më parë.

Publikimi i ASK-së përfshin të dhëna për prodhimtarinë bimore, shfrytëzimin e tokës, inputet bujqësore (plehra minerale dhe organike, pesticide), si dhe për therjet, shitjet dhe produktet blegtorale në ekonomitë bujqësore.

Metodologjia e përdorur për realizimin e Anketës është në përputhje të plotë me rekomandimet e Eurostat-it, duke siguruar standardizim dhe krahasueshmëri të të dhënave në nivel evropian.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button