Rajoni

As të majtë, as të djathtë: Lëvizja studentore në Serbi mes nacionalizmit dhe luftës kundër korrupsionit

Megjithëse lëvizja studentore në Serbi kishte deklaruar se do të qëndronte jashtë çështjeve që mund të ndanin shoqërinë, protestat e mëdha njëvjeçare kundër Qeverisë janë shoqëruar me devijime nacionaliste dhe djathtiste.

“E djathta po përpiqet ta marrë nën kontroll protestën, por nuk është aq e madhe – vetëm më e zhurmshme dhe e organizuar”, tha për Radion Evropa e Lirë politologu Dushko Radosavljeviq.

Studentët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të korrupsionit. Më vonë, ata shtuan edhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Pavarësisht përpjekjeve për neutralitet, në disa protesta janë dëgjuar thirrje nacionaliste dhe slogane për “mbrojtjen e popullit serb në Kosovë”. Në protestën e 11 tetorit morën pjesë edhe grupe të ekstremit të djathtë, ndërsa disa studentë u shprehën se pushteti po përpiqet ta diskreditojë lëvizjen duke e paraqitur si ekstremiste.

“Nuk mund ta mundni pushtetin në temën e nacionalizmit, sepse ai është shumë përpara jush”, theksoi politologu Naim Leo Beshiri.

Në protestën e 28 qershorit, dita e Vidovdanit, u vunë re devijime drejt të djathtës me thirrje për “mbrojtjen e popullit serb jashtë Serbisë”, çka i largoi disa pjesëmarrës liberalë.

Ndërkohë, lëvizja studentore nuk ka një qëndrim të qartë për raportet me Bashkimin Evropian, duke deklaruar se prioritet mbetet lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i një shoqërie të shëndetshme.

Një vit pas nisjes, protesta studentore në Serbi mbetet një ndër lëvizjet më të gjera qytetare kundër pushtetit, me qëllimin kryesor – ndërtimin e institucioneve të ndershme dhe sundimin e ligjit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button