Arrestohet në Liban palestinezi që akuzohet për vrasjen e vajzës së tij në Tiranë – në pritje të ekstradimit

Është arrestuar në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 49-vjeçari palestinez Fadi Alwan, i dyshuar për vrasjen makabre të vajzës së tij, ngjarje që ndodhi rreth dy muaj më parë në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, kapja e tij u bë e mundur falë hetimeve të thelluara të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Sipas hetimeve paraprake, mësohet se në muajin shkurt 2025, Fadi Alwan ka vrarë me mjet prerës vajzën e tij, Rayyan Alwan, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, në kryeqytet.
Vijon bashkëpunimi ndërkombëtar për përfundimin e procedurave ligjore që do mundësojnë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, për t’u përballur me drejtësinë.