Arrestohet Dardan Molliqaj, kryetari i PSD-së dhe bashkëshorti i ish-ministres Besa Shahini

Policia e Kosovës ka arrestuar sot kryetarin e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, gjatë një aktiviteti në rrugë me qytetarët. Molliqaj, i cili është gjithashtu bashkëshorti i ish-ministres shqiptare të Arsimit, Besa Shahini, u vu në pranga në rrethana që partia e tij i ka cilësuar si “të padrejta dhe jashtë çdo racionaliteti”.
Sipas njoftimit të PSD-së, arrestimi u krye nga njësi të posaçme policore, ndonëse Molliqaj nuk kishte marrë asnjë ftesë nga gjykata dhe, sipas tyre, ishte lehtësisht i qasshëm për autoritetet. “Kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveçse si presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike,” thuhet në reagimin e PSD-së.
Molliqaj akuzohet se ka goditur me grusht një pjesëtar të policisë në fytyrë gjatë një proteste të organizuar nga PSD për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe pritet të ketë jehonë edhe në arenën politike të vendit.