Kosova
Kryesore

Ambasada e Gjermanisë mirëpret vendimin e Kushtetueses, u bën thirrje partive për kompromis

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të konstituojnë institucionin brenda 30 ditësh dhe përmes votimit të hapur të zgjedhin kryetarin e tij.

“Ne e mirëpresim vendimin procedural të Gjykatës Kushtetuese. Është e domosdoshme që të gjitha partitë politike dhe palët e interesuara ta respektojnë vendimin dhe të veprojnë në mënyrë që qytetarët e Kosovës më në fund të kenë parlamentin për të cilin votuan më shumë se gjysmë viti më parë. Ne presim një zgjidhje të zbatushme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi”, thuhet në reagimin e Ambasadës për RTV21.

Gjithashtu, Ambasada e Gjermanisë ka kërkuar nga përfaqësuesit politik që të ndalojnë çdo presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj.

“Si një institucion kyç demokratik në një vend të pavarur, është jetike që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të kryejë në mënyrë të pavarur mandatin e saj. Sulmet personale kundër gjyqtarëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin dhe pavarësinë e saj. Akuzat duhet të paraqiten në mënyrë të qartë dhe të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore. Ne e mbështesim plotësisht Gjykatën Kushtetuese dhe shprehim shqetësim për akuzat e motivuara politikisht që pengojnë funksionimin e saj efektiv, veçanërisht në një kohë kur Parlamenti ende nuk ka përmbushur detyrimet e tij ndaj qytetarëve”, thuhet në reagim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button