Kosova

Alternativa garon e vetme në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në gjashtë komuna të Kosovës. Në një konferencë për media, Kusari-Lila tha se Alternativa do të ketë lista për kuvende komunale në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Ajo bëri të ditur se në tri prej këtyre komunave Alternativa do të ketë edhe kandidatë për kryetarë komunash, ndërsa theksoi se partia është duke punuar për të shtrirë praninë e saj edhe në Gjilan dhe Ferizaj.

“Po punojmë vazhdimisht në fuqizimin e strukturës sonë në terren. Të enjten do të hapim zyrën tonë në Mitrovicë. Në Mitrovicë të Jugut e mbështesim kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Pecin, për kryetar komune, ashtu siç mbështesim Qeverinë për veprimet në veri të vendit”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo bëri të ditur se Alternativa është në përgatitje të programit të saj qeverisës për komunat ku do të garojë, duke e konsideruar këtë proces si hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të partisë në qeverisjen lokale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button