Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për rrënimin e “Sarajeve të Vjetra”

Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunalë, P.B. dhe E.Th., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 5 janar – 4 prill 2024, të pandehurit, duke ushtruar funksionet e tyre në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit pasuror për investitorin A.Xh., duke shkaktuar njëkohësisht dëm ndaj Ministrisë së Kulturës.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se drejtori i atëhershëm i DUPH-së, P.B., megjithëse kishte dijeni se kompleksi “Saraji i Vjetër” ishte i mbrojtur në mënyrë të përhershme si monument kulturor, nuk e kishte ndaluar rrënimin e tij. Ndërkohë, e pandehura E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në të njëjtën drejtori, kishte lëshuar kushtet ndërtimore më 5 janar 2024, kishte marrë vendim për rrënimin e objekteve ekzistuese më 15 janar dhe më 4 prill kishte lëshuar lejen ndërtimore për ndërtimin e një kompleksi banesor në atë lokacion.
Prokuroria thekson se këto veprime janë kryer në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë në mbrojtje të përhershme.
Si pasojë, është shkaktuar dëm i pariparueshëm ndaj trashëgimisë kulturore, i vlerësuar në rreth 15.9 milionë euro. Prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave.