Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje mediave të respektojnë privatësinë e udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga mediat respektimin e detyrimeve ligjore të përcaktuara në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke mbrojtur kështu privatësinë e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Në një reagim dërguar mediave, Agjencia ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa dhe shqetësime nga qytetarë që përdorin aeroportin, lidhur me praninë e ekipeve mediatike dhe publikimin e xhirimeve të realizuara në hapësirat e tij.
“Duhet të respektohet mbrojtja e privatësisë, veçanërisht në situata të ndjeshme personale apo familjare; të shmangen regjistrimet ose publikimet pa pëlqimin e qytetarëve; të koordinohen xhirimet dhe intervistat me autoritetet përkatëse; si dhe të evitohet raportimi sensacional që mund të cenojë dinjitetin apo të drejtat personale të udhëtarëve,” thuhet në njoftim.
Agjencia ka theksuar se respektimi i këtyre rregullave është i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e individëve dhe për të siguruar një qasje etike në raportimin mediatik.