Beatriçe Gjergji, trashëgimtarja e një familjeje muzikantësh që sot përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion

Para se Beatriçe Gjergji të ngjitej në skenën madhështore të Eurovizionit, muzika ishte tashmë pjesë e pandashme e jetës së saj. Talenti dhe pasioni për muzikën, siç rrëfen i ati, Mario Gjergji, janë trashëguar brez pas brezi në familjen e tyre.
I ftuar në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, Mario ndau kujtime nga fëmijëria e Beatriçes, duke theksuar se ajo kishte aftësi të jashtëzakonshme për të kompozuar që në moshë të vogël. Edhe pse e rritur në Itali dhe e tërhequr fillimisht nga muzika italiane dhe ajo angleze, Mario pranoi se kishte pasur frikë se vajza e tij po i largohej identitetit shqiptar.
“E rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’,” u shpreh ai me sinqeritet.
Sot, Beatriçe jo vetëm që i është kthyer rrënjëve të saj, por përfaqëson Shqipërinë në një nga ngjarjet më prestigjioze të muzikës ndërkombëtare. Një rol kyç në këtë kthesë, sipas Mario Gjergjit, ka pasur bashkëpunimi me Kolën, i cili ndikoi në formësimin artistik të Beatriçes.
“Muzika është në gjak tek ne,” tha Mario me krenari. “Në familjen Gjergji këndojnë të gjithë… thoshin dikur me shaka: tek ata këndojnë edhe pulat. Ne hamë bukë me muzikë.”
Beatriçe Gjergji dëshmon se kur talenti bashkohet me trashëgiminë kulturore dhe përkushtimin, rezultatet mund të jenë frymëzuese për brezat e rinj shqiptarë, kudo që jetojnë.