Macron i përgjigjet Vjosa Osmanit: BE-ja po bllokon Kosovën, shpresë për rifillimin e dialogut me Serbinë

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron iu përgjigj kritikave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me rolin e Bashkimit Evropian në rajon. Osmani kishte akuzuar BE-në për bllokadë dhe për mesazhe të këqija, duke thënë se më shumë po iu hapet dera atyre që kërkojnë mbështetje në Moskë te Putini sesa Kosovës.
Macron theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se BE-ja kërkon avancime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të hapura, sidomos ato që lidhen me sigurinë dhe zgjedhjet në komunat që kanë qenë problematike.
“Udhërrëfyesi është i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. BE kërkon avancime konkrete mbi zgjedhjet dhe sigurinë, sepse kjo përballje qëndron bllokuese për situatën. Uroj që javën e ardhshme të fillojë dialogu me Prishtinën dhe Beogradin, pasi secili vend ka vështirësi politike dhe sociale. Është shumë e rëndësishme për gjithë rajonin që ky dialog të mos jetë i tërthortë,” tha Macron.
Presidenti francez theksoi se kërkesat janë legjitime, por nevoja për dialog të drejtë dhe të hapur mbetet thelbësore për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Në përgjigje të Osmanit, Macron nënvizoi se bllokada dhe vonesat e BE-së nuk janë qëllim, por pasojë e mungesës së përparimit të kërkuar nga të dyja palët.
Ky takim i përbashkët i dy presidentëve në Tiranë shërben si një sinjal për rikthimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me shpresën për një zgjidhje që do të ndihmojë stabilitetin dhe integrimin evropian të të gjithë Ballkanit.