Kosova

Kuvendi i Kosovës përpiqet sërish të konstituohet, për herë të 17-të pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Sot, më 17 maj, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë një tjetër përpjekje për të konstituuar Kuvendin e ri, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit. Kjo është hera e 17-të që thirret seanca konstituive, e cila do të nisë në orën 10:30, sipas njoftimit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta, deputetët deri tani nuk kanë arritur të formojnë Komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Vetëm dy ditë më parë, më 15 maj, për të tetën herë me radhë dështoi tentativa për formimin e këtij komisioni.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë deklaruar hapur se nuk do ta votojnë kandidaten e propozuar nga Vetëvendosje, znj. Fitore Haxhiu, për postin e kryeparlamentares. Nga ana tjetër, Vetëvendosje mbetet e vendosur të mos ndryshojë kandidaturën, duke thelluar kështu ngërçin institucional.

Pas dështimit të fundit, presidentja Vjosa Osmani zhvilloi të enjten takime të ndara me liderët e partive politike shqiptare, si dhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për daljen nga bllokada. Megjithatë, as këto konsultime nuk sollën ndonjë rezultat konkret.

Ngërçi politik që po vazhdon prej më shumë se tre muajsh ka ngjallur shqetësim të gjerë në opinionin publik dhe rrit presionin ndaj klasës politike për të gjetur një zgjidhje sa më parë, në mënyrë që të rifillojë funksionimi normal i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button