Kosova

BE konfirmon: Masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të hiqen gradualisht

Komisioni Evropian ka konfirmuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të hiqen në mënyrë graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme. Në një përgjigje për mediat, Zyra për Shtyp e KE-së bëri të ditur se ky proces tashmë ka nisur dhe se po punohet në koordinim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo lëvizje vjen pas një shkëmbimi qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së, gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill. Megjithatë, burime diplomatike në Bruksel bëjnë të ditur se për momentin kjo fazë është më shumë simbolike se sa substanciale.

Në kuadër të këtij procesi, BE ka zhbllokuar funksionimin e nënkomiteteve me Kosovën dhe ka rifilluar asistencën teknike nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ky veprim shihet si një sinjal pozitiv, megjithëse për heqjen e plotë të masave nevojitet një konsensus unanim i të gjitha shteteve anëtare të bllokut.

Diplomatët në Bruksel theksojnë se një vendim i tillë do të varet nga veprimet konkrete të institucioneve të Kosovës për të ulur tensionet në veri të vendit, në përputhje me konkluzionet e dhjetorit të kaluar. Heqja graduale e masave, sipas këtyre burimeve, do të ecë paralelisht me angazhimin e autoriteteve kosovare në zbatimin e kërkesave të BE-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button