Bota

Brazil nën “pushtimin” e akrepave: 1.1 milion raste pickimesh në një dekadë, pritet dyfishim deri në vitin 2033

Qytetet braziliane po përballen me një rritje alarmante të pranisë së akrepave, një fenomen që po lidhet ngushtë me urbanizimin e shpejtë dhe ndryshimet klimatike. Sipas një studimi të fundit, nga viti 2014 deri në vitin 2023 janë regjistruar mbi 1.1 milion raste pickimesh nga akrepat – një rritje prej 250%, bazuar në të dhënat zyrtare të sistemit brazilian të informacionit shëndetësor.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ky trend shqetësues mund të përkeqësohet më tej, duke arritur deri në 2 milion raste të reja në periudhën 2025–2033, teksa mjediset urbane vazhdojnë të zgjerojnë territorin e tyre drejt zonave më të ndotura dhe më të pambrojtura.

“Akrepat gjejnë gjithçka që u nevojitet për të mbijetuar dhe riprodhuar në qytetet moderne,” shpjegon Manuela Berto Pucca, studiuese në Universitetin Shtetëror të São Paulo-s. “Ata jetojnë deri në 400 ditë pa ushqim dhe riprodhohen pa pasur nevojë për çiftim.”

Zonat më të prekura janë lagjet periferike dhe favelat, ku kushtet e vështira të jetesës dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve kanë krijuar terrene ideale për akrepat. Këta gjitarë helmuese preferojnë ambientet e ngrohta, të lagështa dhe të ndotura, duke u strehuar në mure, rrënoja dhe kanalizime.

Vetëm në vitin 2024 janë raportuar afro 200,000 raste pickimesh, me 133 viktima. Edhe pse për shumicën e njerëzve pickimet nuk janë fatale dhe shoqërohen vetëm me dhimbje dhe ënjtje, fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit. Ekspertët besojnë se numri real i rasteve mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë persona nuk kërkojnë trajtim mjekësor dhe mjekohen vetë në shtëpi.

Autoritetet shëndetësore dhe mjedisore të Brazilit përballen me një sfidë serioze për të frenuar këtë kërcënim në rritje, që jo vetëm rrezikon jetën e qytetarëve, por thekson edhe pabarazitë strukturore të shoqërisë urbane moderne.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button