Prizren: Babai turk dyshohet për vrasjen e vajzës 15-vjeçare, plagosjen e vajzës tjetër dhe bashkëshortes – caktohet paraburgimi prej 30 ditësh

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit M.G., shtetas turk, i cili akuzohet për një krim të rëndë familjar që tronditi opinionin publik.
Sipas njoftimit zyrtar, M.G. dyshohet se ka kryer tre vepra penale: “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë e ngelur në tentativë”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ai akuzohet se më 6 maj, rreth orës 05:30 në mëngjes, ka vrarë me thikë vajzën e tij 15-vjeçare, si dhe ka plagosur rëndë vajzën tjetër 10-vjeçare dhe bashkëshorten.
Prokuroria e Prizrenit thekson se i dyshuari kreu sulmin pas faljes së namazit të sabahut, duke hyrë në dhomën ku vajzat flinin dhe sulmuar fillimisht vajzën e madhe me një thikë të llojit “bajonet”, duke e goditur disa herë në qafë. Ajo ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza tjetër dhe nëna e tyre u dërguan në QKUK në gjendje të rëndë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Shotë Galica” në Prizren, ku policia u thirr në vendngjarje rreth orës 05:58. Aty gjeti tre persona të lënduar dhe arrestoi të dyshuarin, i cili ndodhej ende me thikë në dorë.
Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit është e domosdoshme për shkak të rrezikut të ikjes, pasi M.G. nuk ka vendbanim të përhershëm në Kosovë dhe ekziston mundësia reale që ai të largohet për t’iu shmangur drejtësisë.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti tragjik.