Shpërthim i dyshuar dëmton makinën private të drejtorit të QKUK-së

Një shpërthim i dyshuar ka dëmtuar makinën private të drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, paraditen e sotme. Incidenti ka ndodhur ndërsa automjeti ndodhej i parkuar në oborrin e institucionit.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka konfirmuar rastin, duke theksuar se “dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura”, në një kohë kur po përgatitej mbledhja e rregullt e Bordit Drejtues, e cila pritej të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit. Deri tani, nuk është konfirmuar natyra e saktë e shpërthimit apo nëse ka persona të dyshuar.
Autoritetet nuk kanë raportuar për të lënduar, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin më shumë detaje në ditët në vijim.