Albulena Haxhiu sërish propozohet për Kryeparlamentare, vetëm 54 vota pro në tentativën e tetë për konstituimin e Kuvendit

Tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dështoi sërish sot, ndërsa kandidatja e Vetëvendosjes për postin e Kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, mori vetëm 54 vota pro nga 110 deputetë të pranishëm në sallë.
Pavarësisht rënies së votave – nga 57 në seancat e mëparshme në 54 sot – Haxhiu shprehu shpresë se opozita do të reflektojë. “Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektim të opozitës”, u shpreh ajo shkurtimisht para gazetarëve.
Kundër kandidaturës së Haxhiut votuan 44 deputetë, ndërsa tre abstenuan. Ndonëse nga opozita është kërkuar që të ndryshohet kandidati, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga propozimi i saj, duke theksuar se Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit.
Procesi i zgjatjes së konstituimit të Kuvendit po zgjat tashmë prej javësh, duke thelluar ngërçin institucional në vend.