Dështimi i tetë me radhë për konstituimin e Kuvendit, VV insiston në Albulena Haxhiun

Përpjekja e tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar krizën institucionale që po zgjat tashmë prej më shumë se dy javësh.
Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post. Në votimin e fundit, ajo mori 54 vota për, 44 kundër, ndërsa tre deputetë abstenuan – një rënie në krahasim me votimet paraprake ku ajo merrte 57 vota.
Që prej 15 prillit, Kuvendi po mban seanca çdo dy ditë me synimin për të kaluar fazën e konstituimit, proces që zyrtarisht përmbyllet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të institucionit.
Opozita po vazhdon të kërkojë ndryshim kandidature. PDK ka deklaruar se Albulena Haxhiu nuk është figurë unifikuese, ndërsa AAK ka shprehur gatishmëri për të votuar emra si Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi. Ndërkohë, LDK mbetet e prerë në qëndrimin se nuk do të votojë asnjë kandidat të propozuar nga VV.
Vetëvendosje nga ana tjetër ka përsëritur se nuk pranon që partitë tjera t’ia diktojnë emrat për pozitat institucionale.
Seanca e radhës është caktuar për ditën e enjte, në orën 10:00./KOHA