Gjykata e Prishtinës lëshon urdhër-arrest për Millan Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë serbë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullatës civile”. Lajmi është bërë i ditur nga portali Reporteri.net, ndërsa autenticiteti i dokumentit është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga burime brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Sipas aktvendimit të Prokurorisë Speciale, më 18 mars 2025 është marrë vendimi për fillimin e hetimeve kundër të dyshuarve. Ata akuzohen se gjatë periudhës 7-10 maj 1999, në vendin e njohur si “Ura e Taliqit” në Gjakovë, pjesëtarët e forcave serbe të armatosura dhe të uniformuara, ndër ta edhe të pandehurit, kanë kryer vrasjen e 106 civilëve shqiptarë. Viktimat më pas janë gjetur në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Përveç vrasjeve, në dokument theksohet se ky grup kishte arrestuar dhe burgosur mbi 300 civilë shqiptarë në burgje të improvizuara, ku ata u mbajtën në kushte çnjerëzore, pa ushqim të mjaftueshëm, higjienë apo kujdes mjekësor. Një pjesë e këtyre të burgosurve më vonë u transferuan në burgje të tjera brenda Kosovës, ndërsa lirimi i tyre u bë vetëm pas ndërhyrjes së organizatave ndërkombëtare pas qershorit 1999.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se aktualisht nuk dihet vendndodhja e të pandehurve. Në mesin e tyre është edhe Llazar Drashkoviq, i cili tashmë është nën urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje në masakrën e Mejës.
Ndryshe, Millan Radoiçiq është në kërkim edhe për rolin e tij në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm dhe besohet se vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.