Ndahet nga jeta Naser Shala – “Ftyra”, njëri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 të UÇK-së

Ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër Naser Bislim Shala, i njohur me nofkën “Ftyra”, njëri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, raporton KosovaPress.
Lajmin e ka bërë të ditur familjari i tij, Fatmir Surdhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur dhimbjen për humbjen e dajës dhe bashkëluftëtarit të tij.
“Ju njoftojmë se pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë daja dhe bashkëluftëtari im Naser Bislim Shala – Ftyra. Njëri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 ‘Ismet Jashari-Kumanova’, i organizuar në UÇK me Mujë Krasniqin dhe Rexhep Selimin, bashkëluftëtari i komandant Kumanovës, Fatmir Limës, Haxhi Shalës, Ajet Kastratit dhe shumë luftëtarëve e dëshmorëve të kombit”, thuhet në njoftim.
Gjatë luftës, Naseri ka shërbyer si epror i shtabit të Brigadës, duke kryer shumë detyra të rëndësishme në organizimin ushtarak të njësive të UÇK-së. Ai njihej për devotshmërinë, heroizmin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, duke qëndruar në vijat e para të frontit me bashkëluftëtarët.
I njohur me nofkën “Ftyra”, Naseri ishte i dashur ndër shokë dhe i njohur për besnikërinë e tij në çdo rrethanë luftarake. Familjari i tij, Fatmir Surdhaj, ka kujtuar momentet e luftës, duke theksuar qëndrimin heroik të Naserit përkrah shokëve të tij.
Në fund të njoftimit, ai ka shprehur ngushëllime për familjen Shala, miqtë, farefisin, bashkëluftëtarët dhe gjithë shoqërinë.
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Naser Shalës – Ftyra!