Kosova

Presidentja Osmani: Serbia, burimi i vetëm i destabilizimit në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia është burimi i vetëm i destabilizimit në rajonin e Ballkanit. Në një intervistë për ‘TRT Ballkan’, Osmani ka theksuar se veprimet agresive dhe aktet terroriste të Serbisë synojnë të rikthejnë rajonin në të kaluarën e errët.

“Serbia e ka sulmuar Kosovën përmes akteve të agresionit dhe terrorizmit. Po ashtu, ajo është përpjekur ta destabilizojë Bosnje e Hercegovinën nga brenda, ndërsa krijon probleme edhe ndaj Kroacisë dhe vendeve të tjera në rajon. Është shumë e qartë për të gjithë në Ballkanin Perëndimor se burimi i vetëm i destabilitetit është Serbia,” ka deklaruar Osmani.

Ajo theksoi se Kosova do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe të punojë ngushtë me partnerët e NATO-s për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.

“Do të mbrohemi nga të gjitha këto ide hegjemoniste e imperialiste të udhëheqjes serbe, të cilat synojnë të na kthejnë në vitet ’90. E ardhmja mund të jetë paqësore dhe e qëndrueshme vetëm nëse mbrohemi nga agresorët si Serbia, e cila po sjell ndikime të këqija nga Rusia, Kina dhe Irani në rajonin tonë,” u shpreh Osmani.

Në lidhje me bashkëpunimin ushtarak me Shqipërinë dhe Kroacinë, Presidentja e cilësoi këtë si një hap të natyrshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është në përputhje me standardet e NATO-s dhe tashmë po zhvillohen bisedime edhe me shtete të tjera për ta zgjeruar bashkëpunimin,” përfundoi ajo.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button