Kosova

Çitaku: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet nga një aktgjykim, çlirimtarët s’do t’i lëmë kurrë vetëm

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar angazhim të përbashkët shtetëror në mbrojtje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në një postim me rastin e gjashtëvjetorit të shkuarjes së tyre në Hagë.

Çitaku e ka cilësuar thellësisht të padrejtë dhe krejtësisht të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë, i cili, sipas postimit të saj, përmban gjithsej 81 vjet burgim. Ajo ka theksuar se PDK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, duke vlerësuar se bie ndesh me provat, standardet e një gjykimi të drejtë dhe të vërtetën historike të luftës çlirimtare.

“Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se historia e Kosovës nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim. Sipas saj, liria dhe pavarësia e vendit janë rezultat i sakrificës së popullit, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes vendimtare të ShBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s.

Çitaku ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit institucional përtej dallimeve partiake për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik.

Ajo ka bërë të ditur se paralelisht po punohet për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me synimin që të krijohet mbështetje më e plotë dhe më e qëndrueshme juridike për çlirimtarët.

“Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi! Dhe nuk do të lejojmë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri”, është shprehur ajo.

Në përmbyllje, Çitaku ka theksuar se Republika e Kosovës ka detyrim të qëndrojë pranë çlirimtarëve të saj.

“Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! As sot. As nesër. Asnjëherë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button