Kosova

Tahiri: Kurti ka qenë nën presion për miratimin e ndryshimeve ligjore për Specialen, mos u merrni me Dautin por me realitetin

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar në mbrojtje të Daut Haradinajt, pas deklaratave të tij për situatën e krijuar gjatë protestës së 5 dhe 6 tetorit, duke thënë se rreziku i përshkallëzimit ishte i njohur për institucionet e vendit nëse nuk do të miratohej Ligji për Dhomat e Specializuara.

Tahiri e cilësoi Haradinajn si një nga figurat më të respektuara të luftës dhe tha se deklaratat e tij pasqyrojnë, sipas tij, tensionet dhe pasigurinë që karakterizuan atë ditë.

Në një deklarim publik ditë më parë, Haradinaj kishte bërë pretendime për praninë e personave me bomba gjatë protestës më 5 dhe 6 tetor.

“Daut Haradinaj, pa dyshim, është ndër figurat më të respektuara të luftës. Burri, njeriu, ushtari e gjenerali më i dëshmuar. Po ashtu është i dëshmuar edhe pas luftës, në mbështetje dhe ballafaqim të shoqërisë së Kosovës me të vërtetën. Dauti e ka thënë një të vërtetë të cilën e dinë të gjithë, me tri porosi. E para, secili prej nesh që ka qenë në Parlament dhe në shesh e ka ditur shumë mirë se situata në shesh ka qenë e tensionuar. Ai tension ka mundur të krijojë efekte të paparashikueshme, të cilat pastaj do të ishte vështirë të ndaleshin. E ka ditur Qeveria, e kemi ditur ne në Kuvend, e ka ditur edhe Policia dhe institucionet e tjera të sigurisë. E ka thënë një të vërtetë dhe s’po e thotë askush”, tha ai.

Sipas tij, situata gjatë protestës ishte e njohur për Qeverinë, deputetët dhe Policinë, ndërsa rreziku i përshkallëzimit duhej të merrej seriozisht nga institucionet përgjegjëse.

Tahiri gjithashtu pretendoi se kryeministri Albin Kurti kishte qenë nën presion për miratimin e ndryshimeve ligjore që po diskutoheshin në Kuvend. Sipas tij, ekzistonin shqetësime se protesta mund të bëhej më e zhurmshme dhe se protestuesit mund të përdornin mjete të ndryshme për të shtyrë përpara kërkesat e tyre.

Ai shtoi se deputetët që ndodheshin brenda Kuvendit ishin të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe rrezikun e mundshëm në rast se ligji nuk do të miratohej.

“E dyta, e vërteta që s’po e thotë askush është se Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, ka qenë po ashtu jo vetëm nën presion nga masa, por ka pasur informacione që, nëse nuk do të kalonte ligji, atëherë protestuesit që kishin vendosur pankarta gjithandej institucioneve do të ishin bukur të zhurmshëm dhe do t’i përdornin të gjitha mjetet për ta shtyrë përpara këtë. Edhe kjo është e vërtetë dhe të gjithë e dinë se Albin Kurti është shtyrë dhe ka rënë në atë presion. E treta, ne si deputetë që kemi qenë brenda dhe s’kemi mundur të dalim jashtë, i kemi ditur përgjegjësitë dhe rrezikun që e merrnim nëse nuk do të kalonte ai ligj. Kjo është çka ka thënë Daut Haradinaj në intervistën e tij. Kjo është çka unë po ua them qytetarëve dhe po u them të mos merren me Dautin dhe as me Aleancën, por me të vërtetën. Kosova do të kishte hyrë në një pasiguri të madhe po të mos kishte kaluar ai ligj”, tha Tahiri.

Deklaratat e Daut Haradinajt lidhur me pretendimet se disa protestues kishin bomba me vete gjatë protestës së 6 tetorit kanë nxitur reagime edhe nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të merret me këtë çështje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button