Rubio: Serbia është e përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe eksplozive

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, për të cilat ka interesim ndërkombëtar. Ai nuk ka treguar se për cilat çështje bëhet fjalë.
Në një prononcim për mediat në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Neë York, Rubio tha se pavarësisht kësaj, administrata amerikane synon t’i thellojë marrëdhëniet me Serbinë, duke trajtuar njëkohësisht çështjet që mund të lindin.
“Natyrisht, Serbia është e përfshirë në disa çështje që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe për të cilat ka interesim ndërkombëtar”, tha Rubio. “Por ky është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërsa njëkohësisht merremi me disa nga çështjet e mundshme që mund të shfaqen dhe që e përfshijnë thellësisht Serbinë”.
Rubio tha se administrata amerikane tashmë ka ndërmarrë hapa për afrimin e marrëdhënieve me Beogradin. Sipas tij, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera amerikane e kanë vizituar Serbinë. Ai shprehu shpresën se do ta vizitojë edhe vetë vendin që aktualisht udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq.



