Kosova

​Rasti “Thaçi 2”, vijojnë fjalët përfundimtare në Hagë – flet mbrojtja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon sot paraqitja e fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Të akuzuarit ngarkohen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë seancës së djeshme, mbrojtja e Thaçit kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm dhe lirimin nga të gjitha akuzat.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin.

Këto kërkesa janë kundërshtuar nga mbrojtja e ish-presidentit.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, tha se nuk ka ekzistuar asnjë grup që ka synuar pengimin e drejtësisë. Ajo kundërshtoi edhe provat mbi të cilat Prokuroria mbështet akuzat.

Sipas mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë ndikuar në procesin gjyqësor. Menegon theksoi se Thaçi akuzohet për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për një vepër të përfunduar.

Edhe mbrojtja e Bashkim Smakajt kërkoi lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Prokuroria pretendon se në veturën e Smakajt ishin gjetur dokumente me udhëzime për një dëshmitar. Mbrojtja, ndërkaq, tha se ZPS-ja nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme lidhur me bisedat ndërmjet Smakajt dhe Zyrapit.

Seanca e sotme në Hagë vazhdon me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipet e tjera të mbrojtjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button