Kosova

Azemi: LDK është e gatshme për takim me Kurtin, marrëveshja politike duhet të sjellë stabilitet institucional

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi, ka deklaruar se partia është e gatshme të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar një marrëveshje politike që do të mundësonte krijimin e institucioneve stabile.

Në një prononcim për RTV21, Azemi tha se deri më tani nuk ka parë një përpjekje serioze nga Kurti për arritjen e një marrëveshjeje politike, duke theksuar se një marrëveshje e tillë duhet të sigurojë stabilitet institucional dhe jo vetëm votat e nevojshme për konstituimin fillestar të Kuvendit.

“Kosova ka humbur shumë nga bllokadat politike. Qytetarët presin që së shpejti të kemi institucione të reja. Askush nuk ka interes që vendi të hyjë në një cikël të ri bllokadash e më pas të përfundojë në zgjedhje të reja. Por, deri më tash nuk kam parë një përpjekje serioze të zotit Kurti për një marrëveshje politike. Këto përpjekje serioze nuk bëhen vetëm përmes deklaratave publike, por kërkojnë takime dhe dialog të drejtpërdrejtë me partitë politike, oferta konkrete dhe, mbi të gjitha, gatishmëri për kompromis për t’i ndërtuar institucionet. Si parti e parë, ata e kanë përgjegjësinë kryesore për ta ndërtuar shumicën dhe për të krijuar një klimë bashkëpunimi mes partive politike, nëse ka vullnet real për marrëveshje. Këtë vullnet duhet ta shohim me veprime konkrete. LDK-ja gjithmonë është sjellë me përgjegjësi dhe ka pasur në qendër të vëmendjes interesin e vendit, por përgjegjësia nuk nënkupton që të shërbejë si zgjidhje për problemet e të tjerëve. Çdo bisedë serioze duhet të jetë e hapur, e sinqertë dhe e bazuar në një marrëveshje politike që i jep vendit stabilitet, e jo vetëm një zgjidhje të përkohshme për numrat në Kuvend.Për marrëveshje, po. Kjo marrëveshje politike nënkupton stabilitet institucional, e jo vetëm numra për t’i kaluar hapat e parë të konstituimit të Kuvendit.” tha ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button