INTERVISTË EKSKLUZIVE PËR BLIC ALBANIA/ A po hyn LDK-ja në një fazë të re politike?
Nga përplasja me pushtetin te pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh: A po lind një lider i ri në LDK?

Intervistë me Dr. Agim A. Krasniqi ~Ekspert i Politikave Publike dhe Qeverisjes Demokratike
Blic Albania: Ditë më par në editorialin tuaj shpreheni se Përparim Rama mund të jetë fituesi politik i përplasjes së fundit me Vetëvendosjen. Pse mendoni kështu?
Dr. Agim A. Krasniqi: Në politikë, perceptimi publik shpesh krijon kapital politik. Përparim Rama u përball me presion të madh politik dhe mediatik, por nuk zgjodhi heshtjen. Ai mbrojti qëndrimet e tij dhe nuk u tërhoq përballë kritikave. Kjo e ka forcuar profilin e tij publik dhe e ka pozicionuar si figurë që nuk shmang përballjen me pushtetin.
Blic Albania: Ju ngrini pyetjen: “A po lind një lider i ri në LDK?”. Pse pikërisht tani?
Dr. Agim A. Krasniqi: Sepse zhvillimet e fundit kanë krijuar realitet të ri politik. LDK-ja po kalon një debat të brendshëm për rezultatin zgjedhor, ndërsa njëkohësisht Përparim Rama po fiton vëmendje kombëtare për përballjen e tij me pushtetin. Kur këto dy procese ndodhin paralelisht, është normale të lindë debati për figurat që mund ta udhëheqin partinë në të ardhmen.
Blic Albania: Përparim Rama është kritikuar edhe për performancën e tij në Prishtinë. A nuk është kontradiktore ta shihni si alternativë për udhëheqjen e LDK-së?
Dr. Agim A. Krasniqi: Jo. Edhe unë kam pasur rezerva për disa aspekte të qeverisjes së tij. Ka pasur projekte që kanë ecur më ngadalë se pritjet dhe vendime që mund të ishin menaxhuar më mirë.
Por, performanca administrative dhe potenciali politik nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Historia politike njeh shumë liderë që janë konsoliduar pikërisht në momentet më të vështira të përballjes politike.
Blic Albania: A gaboi LDK-ja që nuk e mbështeti publikisht Përparim Ramën gjatë sulmeve politike?
Dr. Agim A. Krasniqi: Sipas mendimit tim, po.
Në politikë ekziston një parim i pashkruar: kur një figurë që përfaqëson partinë, sulmohet nga kundërshtarët politikë, partia duhet të tregojë solidaritet institucional, edhe nëse ka mospajtime të brendshme. Heshtja krijoi përshtypjen se Përparim Rama po përballej i vetëm, ndërsa kundërshtarët e tij vepronin si një ekip i organizuar. Paradoksalisht, kjo mund ta ketë forcuar më shumë profilin e tij politik.
Blic Albania: Sot LDK-ja po përballet me kërkesa për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku. Si e lexoni këtë situatë?
Dr. Agim A. Krasniqi: E lexoj si një shenjë të pakënaqësisë që ekziston brenda partisë pas rezultateve zgjedhore. Kur një parti për disa procese zgjedhore radhazi nuk arrin objektivin për të qenë forcë udhëheqëse, është krejt normale që të hapet debati për strategjinë, organizimin dhe lidershipin. Ky debat nuk duhet parë si dobësi. Nëse zhvillohet me kulturë demokratike, ai mund të shërbejë si pikënisje për reformim.
Blic Albania: Kryetarët e disa degëve kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut, ndërsa Abdixhiku kërkon përgjegjësi nga degët. Çfarë tregon kjo?
Dr. Agim A. Krasniqi: Kjo tregon se partia po kalon një krizë përgjegjësie. Kur qendra e sheh problemin te degët, ndërsa degët e shohin problemin te qendra, bëhet e qartë se mungon një analizë e përbashkët për shkaqet e rezultatit zgjedhor. Në vend që të kërkohet vetëm fajtori, duhet të kërkohet zgjidhja.
Blic Albania: Nëse nesër do të mbahej Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, a duhet të kandidojë Përparim Rama për kryetar?
Dr. Agim A. Krasniqi: Në demokraci, kandidimi nuk është përçarje. Është garë idesh. Nëse ai vlerëson se mund t’i ofrojë LDK-së vizion të ri dhe nëse gëzon mbështetjen e delegatëve, kandidimi do të ishte krejtësisht legjitim.
Vendimin përfundimtar duhet ta marrë anëtarësia e LDK-së përmes një procesi demokratik.
Blic Albania: A është Përparim Rama sot politikani më sfidues për Vetëvendosjen?
Dr. Agim A. Krasniqi: Nga mënyra se si u zhvillua kjo përplasje, ai po perceptohet si një nga figurat opozitare që nuk shmang përballjen me pushtetin. Fakti që ndaj tij reaguan një numër i madh eksponentësh politikë, tregon se ai shihet si kundërshtar me potencial. Në politikë ndodh shpesh që kundërshtarët, pa dashur, e rrisin profilin e një figure publike.
Blic Albania: A mund të bashkëjetojnë politikisht Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama?
Dr. Agim A. Krasniqi: Po, nëse interesi i partisë vendoset mbi ambiciet personale. Njëri përfaqëson vazhdimësinë institucionale të partisë, ndërsa tjetri mund të sjellë energji të re dhe zgjerim të bazës elektorale. Një bashkëpunim do të ishte më i dobishëm për LDK-në sesa një përplasje e brendshme.
Blic Albania: Nëse nesër mbahen zgjedhje parlamentare, kush do të kishte potencial më të madh për ta zgjeruar elektoratin opozitar?
Dr. Agim A. Krasniqi: Është herët për përfundime kategorike, por nga dinamika aktuale Përparim Rama po shfaqet si një nga figurat me potencialin më të madh për të tërhequr edhe votues përtej elektoratit tradicional të LDK-së. Kjo nuk është garanci për fitore, por është një avantazh politik që nuk duhet nënvlerësuar.
Blic Albania: Ku e shihni Përparim Ramën pas një viti?
Dr. Agim A. Krasniqi: Nëse vazhdon të ndërtojë profilin e një politikani që sfidon pushtetin me argumente dhe ruan pavarësinë nga konfliktet e vogla partiake, besoj se ai do të jetë një nga figurat më të rëndësishme të opozitës kosovare dhe një kandidat serioz për të marrë përgjegjësi edhe më të mëdha politike.
Blic Albania: Një mesazh për fund?
Dr. Agim A. Krasniqi: Demokracia e brendshme nuk duhet të shihet si kërcënim, por si mundësi për përmirësim. LDK-ja ka nevojë për reflektim, unitet dhe vizion. Debati për përgjegjësinë duhet të zhvillohet me respekt dhe me synimin për ta forcuar partinë, jo për ta dëmtuar atë.
Nëse ky proces shndërrohet në garë idesh dhe jo në një betejë individësh, LDK-ja mund të dalë më e fortë. Dhe në atë proces, është krejt legjitime që të diskutohen edhe figura të reja që kanë dëshmuar aftësi për të fituar besimin e qytetarëve.
Përparim Rama është një prej tyre.
Ju faleminderit profesor Krasniqi, punë të mbarë dhe shëndet në jetën tuaj akademike.



