Kosova

Hamza takon veteranët dhe invalidët e UÇK-së: Do t’i rrisim për 50% pensionet për kategoritë e dala nga lufta

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një takim me veteranë dhe invalidë të luftës është zotuar se pas 7 qershorit do t’i rrisë për 50 për qind pensionet e të gjitha kategorive të dala nga lufta.

Hamza tha se mbrojtja e vlerave të luftës nuk është slogan politik, por e ndjen si obligim moral, kombëtar dhe njerëzor, sepse pa ato vlera nuk do të kishte Kosova nuk do të ishte e lirë dhe shtet i pavarur.

“Veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nuk meritojnë diskriminim e pabarazi. Është e padrejtë që janë lënë jashtë nivelizimit të pensioneve me pagën minimale. Kjo padrejtësi do të marrë fund. Unë zotohem para jush: do t’i rrisim për 50 për qind pensionet e të gjitha kategorive të dala nga lufta. Jo si favor politik, por si borxh moral i shtetit ndaj jush. Sepse, ju nuk luftuat që sot të rinjtë tanë të largohen nga Kosova pa shpresë. Nuk luftuat që familjet të jetojnë në krizë e pasiguri”, theksoi kreu i PDK-së.

Hamza shprehu keqardhje për diskursin e imponuar publik anti-UÇK, duke u zotuar se nuk do të lejojë që Kosova të rrezikohet nga përçarja, urrejtja dhe politika që sulmon vlerat mbi të cilat është ndërtuar vendi.

“Më dhemb shpirti kur shoh se si në këto vite janë fyer komandantët, janë sulmuar luftëtarët dhe janë përçarë familjet që dhanë më së shumti për këtë vend”, tha ai.

“Dhe pikërisht për këtë, më 7 qershor, bashkë do ta ndalim krizën, do ta mbrojmë dinjitetin e luftës dhe do ta ndërtojmë një Kosovë që i bën krenar dëshmorët, veteranët dhe brezat që vijnë”, bëri thirrje Hamza më tej.

Ai tha se ribashkimi i vlerave të luftës është lajm i mirë për kategoritë e dala nga lufta, sepse vetëm të bashkuar mund ta mbrojnë Kosovën.

“Të gjithë po i presim me padurim hapat e fundit të procesit në Hagë dhe kthimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në Kosovë. Ata janë pjesë e historisë sonë të lavdishme dhe krenarisë sonë kombëtare”, theksoi Hamza.

Ndërsa, veterani dhe invalidi i luftës, Ali Buzhala shprehu indinjatën e tij ndaj Qeverisë Kurti për mënyrën se si i ka trajtuar çlirimtarët dhe familjet e dëshmorëve, duke theksuar se veteranët sot janë të nënçmuar dhe të sulmuar.

Prandaj, ai tha se pse e mbështetë Bedri Hamzën për Kryeministër të Kosovës, sepse vendit i duhet një lider serioz, kompetent dhe i përgjegjshëm, i cili i respekton vlerat e luftës.

“Patriotizëm është edhe kur kujdesesh për familjet që nuk po ia dalin. Kur i rrit pagat dhe pensionet, kur krijon vende pune, kur të rinjtë nuk detyrohen ta lënë Kosovën për një jetë më të mirë. Ne nuk luftuam që fëmijët tanë të ikin nga Kosova. Luftuam që ata të jetojnë të lirë dhe me perspektivë këtu. Prandaj, këto zgjedhje janë shumë më tepër se një garë politike. Janë një moment për të vendosur çfarë Kosove duam”, shtoi Buzhala.

Kurse, Laureta Thaçi, vajza e dëshmorit Muharrem Thaçi tha se Qeveria Kurti i ka trajtuar veteranët, invalidët dhe të gjitha kategoritë e luftës si barrë, qysh kur ka vendosur që t’i përjashtojë nga përfitimi i pagës minimale.

“Pikërisht për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar. Të bashkuar rreth vlerave të luftës, rreth shtetit tonë, rreth vizionit për një Kosovë që respekton sakrificën dhe nuk e mohon historinë e saj. Sepse PDK nuk është ndërtuar mbi mashtrime e propagandë. PDK është ndërtuar mbi sakrificë, mbi luftë, mbi shtetndërtim dhe mbi njerëz që dhanë gjithçka për Kosovën. Sot, me mbështetjen tuaj dhe me lidershipin e Bedri Hamzës, ne hyjmë në këtë rrugëtim me besim në plotë për fitore. Hyjmë me vizion për një Kosovë më të zhvilluar, më të fortë, më dinjitoze dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi Thaçi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button