Kurti: Britania partner strategjik, Serbia dhe Rusia kërcënim për sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër, ku është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretëria e Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
Ai e cilësoi Britaninë si partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
“Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik i vendit, ku kryeministri theksoi rritjen e buxhetit dhe shpërndarjen e drejtë të tij, si dhe evidentoi sektorët në zhvillim, veçanërisht teknologjinë dhe bujqësinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit
Shefi i Qeverisë së Kosovës, gjithashtu vuri theksin tek investimet në mbrojtje, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Britaninë për trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.
“Në aspektin e zhvillimit demokratik, ai vlerësoi procesin e zbatimit të Ligjit për të Huajt, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të tij të plotë dhe pa përjashtime.Duke folur për synimet strategjike, Kurti ritheksoi se anëtarësimi në NATO dhe Bashkimi Evropian mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të Kosovës. Ai gjithashtu informoi palën britanike për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusia, duke përmendur praninë e bazave ushtarake pranë kufirit me Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti përsëriti tri kushtet për vazhdimin e tij: dorëzimin e Milan Radoiçiqit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, të bazuar në njohje të ndërsjellë.
Në përfundim, u theksua se Kosova mbetet një partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit.



