Kosova

Nisi fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, nën krizë politike pas dështimit të Kurtit për të formuar qeverinë

Nga sot, më 3 nëntor, deri në hapjen e qendrave të votimit të dielën e 9 nëntorit, subjektet politike dhe kandidatët për kryetarë komunash do të zhvillojnë fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kjo fushatë zhvillohet në një situatë të tensionuar politike, pas dështimit të mandatarit Albin Kurti për të formuar Qeverinë e re, si dhe mes paralajmërimeve për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare që mund të mbahen në dhjetor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se fushata do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit.

“Gjatë periudhës prej më shumë se gjashtë ditësh, nga 3 deri më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, fushata përfundon me hapjen e Qendrave të Votimit. Njësoj si në zgjedhjet e 12 tetorit, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore”, theksoi Elezi.

Ai kujtoi se ligji ndalon veprime që pengojnë garën e ndershme politike.

“Subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre nuk duhet të pengojnë kundërshtarët, dhe ndalohet rreptësisht çdo formë kërcënimi apo dhune. Fushata duhet të zhvillohet në atmosferë të qetë, demokratike dhe pa gjuhë urrejtjeje,” shtoi ai.

KQZ ka paralajmëruar angazhimin e monitoruesve në komuna të ndryshme për të vëzhguar aktivitetet zgjedhore, përfshirë takimet, materialet promovuese dhe reklamat. Raportet e tyre do të shërbejnë për krahasimin me të dhënat financiare që subjektet politike janë të detyruara t’i dorëzojnë pas fushatës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të mbahet më 9 nëntor në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button