Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësim për miratimin e projektbuxhetit nga Qeveria në detyrë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur “shqetësimin e saj të thellë” lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të proceduar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2026, në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas Odës, vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit duhet të merren nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik. “Legjislacioni aktual kufizon qartazi fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime të reja afatgjata për financat publike”, thuhet në reagim.
Lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro, e cila pritet të zbatohet në dy faza gjatë vitit 2026, Oda Amerikane thekson se përmirësimi i kushteve të punës dhe të ardhurave mbetet një qëllim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social. Megjithatë, çdo vendim i tillë duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës, produktivitetit dhe kapaciteteve reale të sektorit privat, për të siguruar baraspeshë ndërmjet mirëqenies së punonjësve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.
Oda paralajmëron se miratimi i politikave të reja të shpenzimeve publike në këtë fazë mund të cenojë stabilitetin makroekonomik, të rrisë ngarkesën buxhetore për vitet në vijim dhe të çrregullojë tregun e punës, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e përgjithshme të ekonomisë. Sipas saj, vendimet e tilla mund të kufizojnë gjithashtu hapësirën fiskale për investime kapitale dhe politika zhvillimore, të cilat janë thelbësore për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.
Oda bën thirrje për përmbajtje institucionale dhe respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se çdo vendim i Qeverisë në detyrë duhet të ndërmerret në përputhje të plotë me kufizimet ligjore që burojnë nga statusi i saj si qeveri kujdestare. Çdo devijim sipas Odës mund të rrezikonte jo vetëm vlefshmërinë formale të akteve të miratuara, por edhe besimin në institucionet publike dhe stabilitetin kushtetues të vendit.
“Stabiliteti institucional, qeverisja e mirë dhe respektimi i legjitimitetit demokratik janë parakushte për një ekonomi të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese”, përfundon reagimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.



