Osmani sot pret liderët partiakë në vazhdën e përpjekjeve për formim të qeverisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot nga ora 12:00 do t’i presë në takim konsultativ liderët e partive politike, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Takimin e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili njoftoi se në këto konsultime do të marrin pjesë të gjitha partitë.
Vetëvendosje pritet të shpalosë sot qëndrimin nëse do të propozojë mandatar të ri, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka hedhur poshtë mundësinë që të marrë mandatin në rast se presidentja e ofron.
Sipas Kushtetutës, Osmani duhet të caktojë një mandatar tjetër brenda 10 ditësh nga dështimi i parë, megjithatë takimi i sotëm shihet si përgatitje për zgjedhje të reja, për shkak të mungesës së shumicës parlamentare.
Kupina tha se presidentja do të theksojë rëndësinë e miratimit të Buxhetit 2026 dhe Planit të Rritjes, ndërsa analisti Albert Krasniqi vlerësoi se një qeveri në detyrë nuk ka të drejtë ligjore ta miratojë buxhetin, përveç nëse krijohet një qeveri teknike — opsion që e kundërshton Vetëvendosje.
Presidentja Osmani pritet të bëjë thirrje për kompromis politik dhe bashkëpunim ndërmjet partive për të shmangur bllokadat institucionale dhe për të siguruar stabilitetin e vendit.



