Kosova

Apeli shqyrton ankesat për dënimin e Çaslav Joliqut për krime lufte në Istog

Në Gjykatën e Apelit të enjten është bërë elaborimi i ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së të akuzuarit Çaslav Joliq, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim e kishte dënuar atë me 5 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte në Istog.

Prokuroria kërkoi që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor edhe për pikat e tjera të aktakuzës, ndërsa mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues ose kthimin e rastit në rigjykim, duke e cilësuar vendimin e shkallës së parë si të padrejtë.

Kolegji gjykues i Apelit përbëhej nga Avni Mehmeti (kryetar), Vaton Durguti (gjyqtar referues) dhe Kreshnik Radoniqi (anëtar). Gjyqtari Durguti theksoi se Prokuroria ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, duke propozuar që dënimi të zgjerohet edhe për pikat B dhe C të aktakuzës.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Miodrag Bërklaq deklaroi se aktgjykimi nuk është i bazuar në prova të plota dhe se Gjykata nuk ka sqaruar elementet e bashkëkryerjes së veprës penale, marrëveshjen paraprake ndërmjet të akuzuarve apo rolet e tyre. Ai shtoi se Joliq nuk ka qenë ekzekutor i veprës, as pjesëtar i policisë, dhe nuk ka qenë në vendin ku ishte rrëzuar helikopteri.

“Gjykata nuk ka vlerësuar drejt provat dhe nuk ka arsyetuar se si është arritur bashkëkryerja. I mbrojturi im duhet të lirohet nga akuza ose rasti të kthehet në rigjykim,” tha Bërklaq.

Joliq fillimisht ishte dënuar me 8 vite burgim nga Themelorja më 10 qershor 2024, por Apeli më 4 nëntor 2024 e kishte kthyer rastin në rigjykim. Në rigjykim, më 23 maj 2025, ai u dënua me 5 vjet e 6 muaj burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2022, Joliq akuzohet se gjatë viteve 1998–1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer krime kundër popullsisë civile shqiptare në komunën e Istogut, përmes torturave dhe trajtimit çnjerëzor të civilëve që nuk kishin marrë pjesë në luftë.

Në dosje përfshihen disa episode dhune ndaj civilëve, përfshirë rrahjen e Zef Malsisë, Naim Feratit dhe Nexhmedin Currit nga pjesëtarë të policisë serbe, në mesin e të cilëve sipas aktakuzës ishte edhe Joliq.

Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, e dënueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, i cili ishte në fuqi në kohën e ngjarjeve.

Vendimi i Apelit pritet të shpallet pas shqyrtimit të plotë të ankesave.

/Betimi për Drejtësi/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button