400 kg kokainë në kontejnerë të “MC Food” — në gjykatë dëshmia e deponistit Kadri Brahimi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u dëgjua sot mbrojtja e të akuzuarit Kadri Brahimi, i përfshirë në rastin ku rreth 400 kilogramë kokainë dyshohet se ishin fshehur në produkte të importuara përmes kompanisë “MC Food”.
Brahimi, i cili deklaroi se punon në kompaninë në fjalë që nga viti 2012 si deponist, tha para gjykatës se nuk ka pasur detyra që lidhen me kontrollin apo verifikimin përmbajtjes së produkteve. Sipas tij, përgjegjësitë e tij përqendroheshin në shkarkimin dhe klasifikimin e mallrave sipas kodeve dhe datave të prodhimit, pas verifikimit të gjendjes së produkteve.
“Afrona te kamioni me pa a ka pasur shkrirje apo ngrirje. Nëse është gjithçka në rregull e fillojmë shkarkimin. Kqyret data e prodhimit, marrim produktin dhe klasifikohet në bazë të kodeve… Kur të verifikohet që është në gjendje të rregullt…”, tha Brahimi, duke përshkruar procedurat që, sipas tij, ndiqeshin në depo.
I pyetur nga avokati mbrojtës Driton Musliu për pamjet filmike ku ai shihet duke zbarkuar mallin dhe duke vendosur paleta në vende të ndryshme, Brahimi shpjegoi se veprimet lidhen me procedurat e skanimit dhe barkodimit — “janë dy lloje barkodash, 82 dhe 101, nuk guxon me u përzi” — dhe se nuk ka autorizim për ngarkim të mallrave pa verifikim paraprak.
Ai mohoi gjithashtu se ka ndarë paleta me substancë narkotike gjatë shkarkimit për të shmangur identifikimin e tyre, duke deklaruar se depoja është e mbikëqyrur vazhdimisht nga kamerat dhe se nuk ekziston hapësirë pa monitorim. “Jo, nuk është e vërtetë… Kamerat kanë qenë aty dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim,” tha i akuzuari, duke shtuar se ai është personi që ka pasur çelësin dhe kodin e alarmit për pjesën ku ka punuar.
Lidhur me pretendimet se në disa raste kishte raportuar mungesë të mallit, Brahimi u shpreh se gjithmonë ka njoftuar eprorët e tij dhe se nuk do të nënshkruante për minus mall pa bërë verifikime, pasi, siç tha, atëherë do të dukej se ai kishte vjedhur.
Brahimi po ashtu deklaroi se gjatë arrestimit nuk i kishte rezistuar autoriteteve, por pretendon se pas arrestimit është keqtrajtuar nga policia: “Më kanë rrahur si qen me duar të lidhura. Shihet edhe në kamera”, u shpreh ai.
Si pjesë e mbrojtjes, i akuzuari dorëzoi edhe fotografi për të dëshmuar kushtet ekonomike të vështira personale, duke thënë se nuk posedon shtëpi dhe jeton në kushte të rënda.
Rasti përfshin gjetjen e sasisë së madhe të drogës të fshehur në mallra të importuara përmes kompanisë “MC Food”. I akuzuari mohon përfshirjen në fshehjen ose përhapjen e substancave narkotike dhe thekson se proceset e depozituara dhe monitorimi me kamera e përjashtojnë mundësinë e veprimeve të tilla pa vëzhgim.
Procesi gjyqësor vazhdon; mbrojtja dhe prokuroria do të paraqesin prova dhe dëshmitarë të mëtejshëm për të sqaruar rastin dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.



