Kosova

Gjykata Supreme shfuqizon nenin diskriminues për veteranët – OVL UÇK e mirëpret vendimin

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, i cili kufizonte të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për kompensim financiar.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka përshëndetur vendimin, duke e cilësuar nenin e shfuqizuar si “diskriminues” dhe vendimin e Supremes si “fitore të drejtësisë dhe të ligjit”.

“Ky vendim rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Sipas kësaj organizate, Gjykata Supreme ka konstatuar drejt se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse ata janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit – duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat.

“Ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare,” thekson më tej OVL UÇK.

Në fund, organizata ka falënderuar Gjykatën Supreme për “vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme”, duke theksuar se ajo “kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button