OJQ-të i kërkojnë Presidentes Osmani ndërmjetësim politik për buxhetin e 2026-s dhe Planin e Rritjes së BE-së

Një grup i gjerë organizatash të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i kërkuar ndërmjetësim politik për tejkalimin e krizës institucionale dhe për sigurimin e miratimit të buxhetit për vitin 2026, si dhe ratifikimin e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes.
Në letrën e nënshkruar nga mbi 15 organizata, ndër to Instituti GAP, KCSF, INDEP, EPIK, GLPS, KLGI, FIQ, Balkan Green Foundation, QKSGJ, TOKA, YMCA Kosova e të tjera, theksohet se në mungesë të një marrëveshjeje politike për formimin e Qeverisë së re, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa rrezikon të hyjë në vitin e ardhshëm pa buxhet dhe pa marrëveshje të ratifikuara me BE-në.
“Dy çështje janë veçanërisht të domosdoshme dhe për të cilat mund të arrihet pajtim i gjerë ndërmjet të gjitha forcave politike: miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm dhe miratimi i Marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes para shpërbërjes së Kuvendit”, thuhet në letrën dërguar Presidentes Osmani.
OJQ-të paralajmërojnë se, sipas nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, nëse buxheti nuk miratohet deri në fund të shkurtit 2026, pas zgjatjes së përkohshme të buxhetit të vitit paraprak, shteti nuk do të mund të kryejë pagesa për paga, transferta sociale dhe investime publike, përveç shlyerjes së borxhit publik. Një situatë e tillë, sipas tyre, “do të paralizonte funksionimin bazik të shtetit dhe do të prekte mijëra familje në Kosovë”.
Në dokument, organizatat i kërkojnë Presidentes Osmani të ndërmarrë iniciativë për ndërmjetësim politik duke ftuar partitë parlamentare të gjejnë një zgjidhje të përkohshme dhe funksionale për buxhetin dhe marrëveshjet me BE-në para se Kuvendi të shpërbëhet.
Ato propozojnë katër rrugë të mundshme ligjore:
Qeveria në detyrë të dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për 2026-n, që të miratohet me procedurë të përshpejtuar;
Në rast se kjo nuk ndodh, Kuvendi aktual të votojë një zgjatje të buxhetit ekzistues deri në fund të marsit 2026;
Ratifikohet Marrëveshja e Facilitetit dhe ajo e Huasë me BE-në, që do t’i mundësonte Kosovës të përfitojë fonde nga Plani i Rritjes;
Të përdoret neni 123 i Rregullores së Kuvendit për përshpejtimin e procedurave parlamentare.
“Në këtë moment vendimtar për vendin, e ardhmja financiare e Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike”, përfundon letra, duke theksuar se roli unifikues i Presidentes mund të jetë vendimtar për të shmangur një krizë buxhetore dhe për të forcuar besimin në institucione.
Në fund, nënshkruesit apelojnë që veprimi urgjent të bëhet para shpërbërjes së Kuvendit, për të garantuar stabilitet financiar dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve e të Bashkimit Evropian ndaj institucioneve të Kosovës.



