AIP: Policia ka bazë ligjore të përdorë kamerat për shqiptimin e gjobave në trafik

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka sqaruar se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e sigurisë publike në shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik. Sipas AIP-së, kjo praktikë nuk bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi është e parashikuar në Ligjin Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Në përgjigjen për “Gazetën Metro”, AIP ka theksuar se neni 75 i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale lejon përjashtime nga rregullat e përgjithshme për përdorimin e kamerave kur ekziston një ligj specifik që e autorizon këtë përdorim.
“Ligji specifik në këtë rast është Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili në nenin 254 parasheh përdorimin e pajisjeve elektronike për identifikimin e kundërvajtjeve dhe shqiptimin e gjobave elektronike,” thuhet në njoftim.
Sipas këtij neni, në rastet kur shkelja konstatohet me pajisje elektronike, gjoba i dërgohet në adresë pronarit të automjetit, i cili është i detyruar të japë të dhënat e personit që e ka drejtuar mjetin në momentin e shkeljes.
AIP thekson se kamerat e trafikut konsiderohen pajisje elektronike, pasi përmes incizimeve të tyre mundësohet identifikimi i automjetit, vendit dhe kohës së shkeljes, duke siguruar kështu dokumentimin ligjor për shqiptimin e gjobës.
Në këtë drejtim, AIP kujton se neni 242 i Ligjit për Trafikun Rrugor përcakton qartë se shpejtësia e lëvizjes së automjeteve mund të konstatohet edhe përmes video-incizimeve, të cilat kanë fuqi prove ligjore.
“Kjo dispozitë e forcon më tej kuptimin se video-incizimet janë mjete të ligjshme për evidentimin e kundërvajtjeve në trafik,” thuhet në përgjigje.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka theksuar se përdorimi i kamerave nga Policia e Kosovës për gjoba elektronike është i bazuar ligjërisht dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi përbën përjashtim të lejuar me ligj.
“Përdorimi i kamerave zhvillohet për ushtrimin e një detyrimi ligjor që buron nga Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe për ushtrimin e autoritetit zyrtar të përcaktuar në nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,” thekson AIP.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET kishte ngritur dyshime për kundërligjshmëri dhe cenim të privatësisë në përdorimin e kamerave të sigurisë publike për gjoba në trafik, duke argumentuar se këto kamera janë të destinuara për siguri publike dhe hetim penal, e jo për ndëshkime administrative.



