Kosova

Sindikata e RTK-së kërkon ndërhyrje urgjente të Kuvendit për alokimin e buxhetit

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndërhyjnë menjëherë për të siguruar alokimin e buxhetit për RTK-në, duke paralajmëruar rrezik të përsëritjes së situatës së muajit gusht, kur punëtorët mbetën pa paga.

Në reagimin e sindikatës thuhet se që në fillim të tetorit i është drejtuar zyrtarisht Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së për çështjen e pagave, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Kërkojmë publikisht transparencë dhe njoftim të qartë për gjendjen e pagave. Paga është e drejtë ligjore dhe kërkesë legjitime për punën që kanë kryer të gjithë punonjësit e RTK-së”, thuhet në reagimin e SPERTK-së.

Sindikata thekson se mungesa e buxhetit po rrezikon seriozisht vazhdimin e projekteve programore dhe stabilitetin e transmetuesit publik, që ndodhet në një periudhë të rëndësishme zhvillimore.

SPERTK i ka bërë tri kërkesa kryesore Kuvendit të Kosovës:

Alokimin e menjëhershëm të buxhetit 2025 për RTK-në, për të shmangur vonesat në paga;

Kompletimin urgjent të Bordit të RTK-së, për të siguruar funksionimin me kuorum të plotë;

Rritjen e buxhetit për vitin 2026, me qëllim zhvillimin institucional dhe përmbajtje cilësore sipas standardeve evropiane.

Në fund, SPERTK paralajmëron se do të ndërmarrë veprime ligjore, nëse institucionet nuk reagojnë dhe punëtorët vazhdojnë të mbeten pa trajtim të dinjitetshëm financiar.

“Kërkojmë ndërhyrje urgjente të Kuvendit për të garantuar stabilitet financiar, funksionalitet institucional dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të RTK-së,” përfundon reagimi i sindikatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button